21.3 (2026) - "Bashkë KUNDËR vetmisë"...PRO ndjeshmërisë dhe mbështetjes!
21 Marsi është Dita Botërore e sindromës Down.
Këtë vit, tema ndërgjegjësuese e diktuar nga Down Syndrome International ku Fondacioni ynë është i antarësuar, është "Bashkë Kundër Vetmisë" #TogetherAgainstLoneliness.
Këtë vit, tema ndërgjegjësuese e diktuar nga Down Syndrome International ku Fondacioni ynë është i antarësuar, është "Bashkë Kundër Vetmisë" #TogetherAgainstLoneliness.
Ndërkohë që çdokush mund të përjetojë VETMI, hulumtime të shumta tregojnë se ajo është më e pranishme dhe një përvojë më e dhimbshme për personat me aftësi të kufizuara intelektuale. Arsyet janë të shumta: mungesa e marrëdhënieve shoqërore kuptimplota, stigmatizimi, mungesa e pjesëmarrjes në komunitet, mosfunksionimi i plotë i arsimit gjithëpërfshirës, mungesa e mundësive për punësim, si dhe fakti që vëllezërit dhe motrat e personave me sindromën Down rriten dhe largohen nga shtëpia për të vazhduar jetën e tyre të pavarur, ndërkohë që kjo nuk ndodh gjithnjë për të rinjtë apo të rriturit me sindromën Down.
Vetminë e përjetojnë shpesh edhe prindërit dhe familjarët e tyre, kryesisht për shkak të mungesës së aksesit në shërbimet e nevojshme si për ta, ashtu edhe për fëmijën apo familjarin e tyre me sindromën Down, si dhe për shkak të stigmës apo diskriminimit me të cilin përballen, si në nivel institucional ashtu edhe në atë shoqëror.
Vetmia nuk është një zgjedhje. Ajo ka ndikim negativ në shëndetin, lumturinë dhe mirëqenien në tërësi. Vetmia mund t’i bëjë njerëzit të përjetojnë ankth dhe depresion, si dhe të ndihen keq edhe fizikisht. Vetmia është problem serioz.
Miqësia - Një mesazh. Një ftesë. Një mik.
Miqësia është një nevojë themelore njerëzore dhe një faktor mbrojtës i rëndësishëm kundër vetmisë, por për shumë persona me sindroëm Down në Shqipëri ajo mbetet e kufizuar nga stigma, përjashtimi social dhe mungesa e hapësirave gjithëpërfshirëse për ndërveprim. Marrëdhëniet e barabarta dhe të qëndrueshme përmirësojnë shëndetin mendor, rrisin ndjenjën e përkatësisë dhe forcojnë vetëvlerësimin. Evidencat tregojnë se kur komunitetet krijojnë mundësi reale për ndërveprim social, miqësia zhvillohet natyrshëm dhe barrierat sociale zbehen. Ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse do të thotë të krijojmë hapësira ku çdo person ka mundësi të krijojë lidhje, të ndihet i pranuar dhe të mos jetë vetëm.

Shumë prindër të fëmijëve sindromën Down në Shqipëri ende përballen me stigmë, paragjykime dhe mungesë informacioni, duke u ndjerë të pakuptuar, të izoluar dhe të vetmuar. Ata kanë nevojë për mbështetje reale dhe shërbime adekuate që u mundëson fëmijëve të tyre të zhvillohen dhe vetë familjeve të ndjehen të përfshirë në shoqëri.
Familjet e personave me sindromën Down kanë nevojë për t’u kuptuar dhe mbështetur përmes shërbimeve të duhura. Mungesa e këtyre shërbimeve mund të shkaktojë vetmi, izolim dhe stigmë.
Ndërhyrja e hershme nuk është vetëm një shërbim. Mungesa e aksesit në këtë shërbim mund të shkaktojë vetmi dhe izolim.
Shërbimi i ndërhyrjes së hershme është thelbësor për zhvillimin e fëmijëve me sindromën Down, pasi vitet e para të jetës përfaqësojnë një periudhë kritike për zhvillimin e tyre. Në Shqipëri, mungesa e shërbimeve të aksesueshme, identifikimi i vonuar dhe mbështetja e pamjaftueshme për familjet kufizojnë efektin që ndërhyrja e hershme mund të ketë në jetën e fëmijës. Evidencat tregojnë se ndërhyrja e hershme redukton nevojën për shërbime më intensive në të ardhmen, rrit përfshirjen në arsim dhe komunitet dhe fuqizon familjet në rolin e tyre. Njohja dhe socializimi me prindër të rinj, konsultimi me profesionistët dhe ndarja e informacionit fuqizon familjen dhe e largon atë nga izolimi. Investimi në ndërhyrjen e hershme nuk është kosto, por një strategji afatgjatë për përfshirje, barazi dhe mirëqenie sociale.

Një fëmijë i vetmuar në shkollë mëson më shpejt vetminë se sa matematikën.
Në Shqipëri, shumë fëmijë me sindromën Down në Shqipëri, përballen ende me barriera në përfshirjen e tyre të plotë në arsim gjithëpërfshirës. Mungesa e mbështetjes së duhur për procesin arsimor, aktivitetet jo të përshtatura dhe mundësi të kufizuara për t’u socializuar mund të shkaktojë izolim dhe vetmi. Përfshirja e plotë nuk është vetëm e drejtë e fëmijës, por një hap i domosdoshëm drejt zhvillimit të tij social, emocional dhe akademik, duke siguruar që çdo fëmijë të ndjehet i pranuar, i mbështetur dhe pjesë e komunitetit të shkollës.

Punësimi është më shumë se një e ardhur, është përkatësi.
Punësimi i personave me sindromën Down dhe i personave me aftësi të kufizuara në përgjithësi në Shqipëri, mbetet një nga sfidat kryesore të përfshirjes sociale, pavarësisht potencialit, aftësive dhe dëshirës së tyre për të kontribuar në shoqëri dhe ekonomi. Barrierat fizike, mungesa e akomodimit të arsyeshëm, shërbimeve të duhura, stereotipet dhe zbatimi i pamjaftueshëm i politikave ekzistuese kufizojnë aksesin e tyre në punë dinjitoze dhe të qëndrueshme. Një treg pune gjithëpërfshirës nuk është vetëm çështje e të drejtave të njeriut, por edhe një investim social dhe ekonomik: bizneset përfitojnë nga diversiteti, ndërsa individët fitojnë pavarësi dhe dinjitet. Është koha që institucionet, punëdhënësit dhe shoqëria të veprojnë së bashku për të hequr barrierat dhe për të krijuar mundësi reale punësimi për personat me sindromën Down.
Aksesi pa përkatësi në komunitet të çon në vetmi.
Përfshirja në komunitet e personave me sindromën Down në Shqipëri mbetet e kufizuar nga shumë barriera, qëndrime përjashtuese dhe mungesë shërbimesh të bazuara në komunitet, duke i ekspozuar ata ndaj izolimit dhe vetmisë. Pjesëmarrja aktive në jetën komunitare, kulturore dhe sociale është thelbësore për mirëqenien, dinjitetin dhe autonominë e individit, si dhe për ndërtimin e komuniteteve më të forta dhe më solidare. Përfshirja nuk është bamirësi, por e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, shoqërisë civile dhe komunitetit.
