Këshillim psikologjik individual me prindërit
Kujdesi për një fëmijë më aftësi të kufizuara shpeshherë mund të jetë një sfidë për prindërit. Edhe situatat më të thjeshta si p.sh., një shëtitje në park, nganjëherë kërkojnë energji shtesë për tu menaxhuar. Të rrisësh një fëmijë më aftësi të kufizura mund të jetë e lodhshme fizikisht por mbi të gjjitha emocionalisht dhe mendërisht.
Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara shpesh përjetojnë stres, probleme në çift, apo në marrëdhënien me fëmijët e tjerë në familje, irritueshmëri, ankth, depresion etj. Të gjitha këto ndonjëherë mund të vijnë dhe nga sfidat e ndyshme që hasin në Shqipëri si shkak i veprimit padrejtësisht apo mosveprimit të institucioneve; sjelljeve të shoqërisë apo dhe kulturës shqiptare në lidhje me bashkëjetesën në familje të madhe. Ndikimi i këtyre të fundit në gjendjen e përgjithshme shëndetësore i bën të ndihen të lodhur, të irrituar, shpie në pagjumësi, vështirësi në frymëmarrje, përqëndrim etj.
Lajmi i mire është se aftësitë për të përballuar më mirë sfidat e kujdesit për një fëmijë më aftësi të kufizuara mund të mësohen. Këshillimi psikologjik ju ndihmon të përmirësoni ndjenjën e mirëqënies, si dhe forcon mekanizmat për të zgjidhur krizat.
Shërbimi i këshillimit psikologjik në Qendrën e Shërbimeve PRO PAK mund t’ju ndihmojë:
• Të mësoni se ju keni kontroll dhe keni aftësinë për të ndikuar dhe ndryshuar situatat dhe emocionet.
• Të balanconi kujdesin për fëmijën me aspekte të tjera të jetës.
• Të kuptoni më mirë ndjenjat tuaja duke ju ndihmuar për të adresuar më objektivisht sfidat në të ardhmen.
• Të kujdeseni më mirë fizikisht dhe emocionalisht për veten tuaj duke qenë kështu më eficent edhe në kujdesin ndaj fëmijës.
• Të ndërtoni një marrëdhënie më të shëndetshme në çift dhe familje.
Nese ju ia dilni të jeni mirë me veten dhe familjen tuaj edhe fëmija juaj me aftësi të kufizuara do t’ia dalë të zhvillojë në maksimum potencialin e tij.