Dhuro për qendrën

Pse janë të nevojshme shërbimet?

Të gjithë fëmijët, qoftë me zhvillim tipik qoftë me zhvillim atipik, lindin me një potencial i cili tek disa fëmijë është më lehtësisht i identifikueshëm dhe tek disa të tjerë nevojitet ndihma e specialistve për tu identifikuar. Për të identifikuar dhe arritur potencialin maksimal tek fëmijet me SD na vjen në ndihmë fillimisht programi i Ndërhyrjes së Hershme Terapeutike, program i cili i referohet ndërhyrjes tek fëmijët nga lindja deri në 3 vjeç dhe ka katër qëllime primare: 1- të mbështesë familjet që këta të fundit të mbështesin zhvillimin e fëmijëve të tyre; 2- të promovojë zhvillimin e fëmijës në sferat jetësore të zhvillimit; 3- të promovojë përballjen me besim në vetvete 4- të parandalojë ndonjë problem të paparashikuar në të ardhmen. Kjo ndërhyrje i jep të gjithë fëmijëve një hov të madh qoftë në zhvillimin fizik qoftë në atë intelektual dhe gjuhësor. Përgjatë programit të ndërhyrjes së hershme fëmija merr pjesë në terapinë fizike, terapitë e lojës dhe të zhvillimit dhe logopedi. Terapia fizike e filluar që në muajt e parë të fëmijës me SD do i ndihmojë të fitojë dhe zhvillojë tonusin muskulor, element ky shumë i nevojshëm për gurët e zhvillimit. Hipotonia është specifike tek fëmijët me sindromën Down dhe në shumicën e rasteve është shkaktari kryesore i shfaqjes së problemeve të cilat hasen gjatë zhvillimit të lëvizjeve motorike fine dhe atyre globale. Aftësitë motorike mund të zhvillohen me aplikimin e ushtrimeve, ndaj është thelbësore që fëmijët t’i nënshtrohen kësaj ndërhyrje. Një rëndësi të veçant ka edhe terapia e e zhvillimit/ okupacionale, e cila i jep një hov fëmijës në zhvillimin mendor (përceptim, vëmendje, memorie, të nxënit, imagjinata etj) duke iu afruar sa më shumë minimizimit të dallimit ndërmjet moshës biologjike dhe asaj mendore. Jo më pak rëndësi ka edhe terapia e të folurit (logopedia), e cila fokusohet fillimisht në ushtrimet buko-faciale dhe më pas në gjuhën e shenjave dhe artikulimin.

Marrja e shërbimeve në moshë të hershme por edhe më vonë, mundëson krijimin e një terreni tepër të qëndrueshëm zhvillimor për fëmijën dhe e aftëson atë për në etapat e mëvonshme të jetës duke e orientuar drejt aspekteve të autonomisë personale dhe asaj sociale.